,

Përsëri dhunë në futboll, grushtohet gjyqtari Mustafa

Posted by Unknown On Saturday, September 7, 2013 0 comments
Dhuna në futbollin kosovar është rikthyer. Ndeshja e xhiros së tretë të Ligës së Parë ndërmjet Flamurtarit dhe Kosovës së Prishtinës është ndërprerë në minutën e 17-të, pasi kapiteni i kësaj të fundit, Imer Statovci e ka grushtuar gjyqtarin Leutrim Mustafa. Gjithçka nisi kur referi dha penallti për Kuqezinjtë, e cila u konsiderua e papranueshme për ekipin tjetër.
 Në kohën kur Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) po bën përpjekje që gjithçka të shkojë në rregull dhe t’i vë gjërat në binar, në bashkëpunim me klubet, dhuna në futbollin kosovar s’ka të ndalur.
Këtë radhë, kjo dukuri negative është zhvendosur nga Superliga në Ligën e Parë. Në fakt, në ndeshjen ndërmjet Flamurtarit dhe Kosovës së Prishtinës, e vlefshme për xhiron e tretë të sezonit të ri, ka ndodhur gjithçka tjetër, përpos futbollit.
Leutrim Mustafa ka qenë ‘viktimë’ e një sulmi fizik, të cilin e shkaktuan lojtarët e Kosovës (P). Gjithçka nisi në minutën e 12-të, kur gjyqtari i ri kosovar dha penallti për Kuqezinjtë.
Vendimi i tij u kontestua me të madhe nga lojtarët mysafirë dhe njëri prej tyre, kapiteni Imer Statovci, në vend se t’i qetësonte lojtarët e tij, pasi e mori kartonin e kuq e grushtoi gjyqtarin kryesor të ndeshjes, i cili me këtë rast automatikisht e ndërpreu ndeshjen.
“Në minutën e 12-të gjyqtari Leutrim Mustafa akordoi penallti për Flamurtarin dhe lojtarët e Kosovës (P), të pakënaqur me këtë vendim, nuk lanë që penalltia të ekzekutohej. Më pas, në minutën e 17-të kapiteni Imer Statovci e sulmoi gjyqtarin Mustafa me 2-3 boksa, duke e plasuar përtokë. Më pas referi e ndërpreu lojën”, shkruan në protokollin zyrtar të ndeshjes.

Flamurtari pritet ta fitojë këtë ndeshje me rezultat zyrtar 3:0, ndërsa Kosova (P) dhe kapiteni i saj, Imer Statovci, i cili njihet si lojtar problematik edhe nga e kaluara, mund të dënohen keq nga shtëpia e futbollit kosovar.

0 comments:

Post a Comment